Partizani, tani me hap kampioni…

Partizani-Skënderbeu 2-0 (Belica 26’, Asani 50’ (p). “Të kuqtë” e Gegës gjejnë ritmin e munguar. Skënderbeu larg imazhit

Të kuqtë e Skënder Gegës u rikthyen në “Selman Stërmasi”, aty ku të shtunën u mposhtën me rezultatin 1-3 nga Luftëtari, por këtë herë ndaj korçarëve, kishin një tjetër stature. Ata fituan 2-0 ndaj Skënderbeut, duke rruajtur diferencën e 9 pikëve ndaj Kukësit që i ndjek.

Me më shumë grintë, me më shumë dëshirë për të fituar, skuadra e Gegës gjeti golin fillimisht me mbrojtësin Egzon Belica, që devijoi “pa dashje” një top të ardhur nga këndi dhe e dërgoi në rrjetën e portës së Dajsinanit.

Goli i qetësisë për Partizanin erdhi në pjesën e dytë, kur Trashi “vodhi” me mjeshtëri një 11-metërsh në zonë, të cilin e ekzekutoi saktësisht sulmuesi Jasir Asani, duke fiksuar fitoren 2-0 të Partizanit.

Skënderbeu i Orges Shehit, as më shumë dhe as më pak, tregoi se ka dorëzuar me kohë titullin dhe është mjaft larg imazhit të vjetshëm të tij. Me këtë humbje, dhe pafuqinë për t’iu kundërpërgjigjur “të kuqve”, Skënderbeu komplikoi dhe iu largua më tepër pretendimeve për një vend në Europë.

Trajnerët deklaruan pas ndeshjes:

Skënder Gega (Partizani): ”Ndaj Luftëtarit kaluam një moment të vështirë, pasi kemi gabuar shumë pak këtë sezon. Fitorja e Kukësit ndoshta ndikoi për mirë, pasi i thirrëm mendjes, për të kuptuar që nuk kemi rrugë tjetër. Nuk jemi perfekt dhe sot nuk ishim të tillë, por dhamë maksimumin dhe u shpërblyem. Isha i shqetësuar para ndeshjes, pasi lojtarët mund të prekeshin edhe nga komentet në rrjetet sociale, por për fat të mirë, pashë reagimin e duhur sot”.

Orges Shehi (Skënderbeu): “Vijojmë të synojmë vendin e tretë dhe besoj se kemi mundësitë ta arrijmë. Sot humbën një ndeshje të vendosur nga episodet, pasi kundërshtari nuk është se na dominoi. Megjithatë kjo ndodh kur një skuadër ka në përbërje lojtarë të rinj. Ne jemi Skënderbeu dhe nuk duhet të shohim kurrsesi mbrapa. Nëse puna shkon në këtë pikë, iki unë i pari, por duhet të theksoj se jemi ndëshkuar nga episodet. Kemi përpara edhe 7 javë, ku do të mundohemi të bëjmë më të mirën”. (Supersport)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!