“Paragjykojmë të huajt, jo më Superioren”

Kështu deklaroi Skënder Gega, trajneri i Partizanit para gazetarëve, në konferencën e sotme për shtyp, lidhur me fjalët e përhapura pas humbjes të së shtunës, për një tolerim të mundshëm ndaj Luftëtarit. 

“Varet se kush i përflet. Nëse dikush ka shumë argumente teknike, jam i gatshëm të ulem në tavolinë e të ballafaqohem  me çdo njeri. Unë e di sa fort ka luftuar ky klubi e ky grup për të qenë në këtë pozitë ku ndodhemi. Shqiptarët përflasin e paragjykojnë edhe kampionatet e huaja dhe jo më Superioren. Megjithatë, ne jemi të ndërgjegjshëm për atë që bëjmë. Respektojmë çdo opinion, por në fund fare njohim e respektojmë veten më shumë se të gjithë të tjerët”, – u shpreh ai.

Trajneri i kuqve Gega, gjatë konferencës për shtyp, një ditë para sfidës me Skënderbeun, foli për situatën e skuadrës. Dëmtimet e lojtarëve, duke premtuar se nuk do të përsëriten më gabimet e ndeshjes me Luftëtarin.

“Besoj se me Skënderbeun s’do të ketë të njëjtat gabime. Nesër kemi përballë një ekip të fortë e duhet të përgjigjemi fort kundër tyre. Derisa të mbarojë momenti i fundit jemi në lojë. Asgjë s’ka mbaruar. Kemi edhe 9 finale. Kjo është një finale e kësaj jave. Skënderbeu përbën interes pasi është ekipi kampion”, – deklaroi ndërmjet të tjerash trajneri i kuqve në prag të sfidës së nesërme Partizani-Skënderbeut, që do të nisë në orën 18:30 në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.

Bashkë me trajnerin Gega, në konferencën e shtypit të klubit të kuq kryeqytetas, ishte edhe mesfushori Esat Mala. Ai nuk i bëri dramë paraqitjet dhe rezultatet e fundit, por 20-vjeçari u bëri thirrje shokëve të rikthehen te fitorja kundër Skënderbeut.

 “Këto ndeshjet e fundit është e vërtetë që rezultatet nuk kanë qenë sikurse i kemi pritur, por normalisht jemi një ekip që kemi treguar se dimë të reagojmë. Presim reagimin nga i gjithë ekipi. Ndoshta ka ndikuar lodhja, ndoshta ngarkesa psikologjike. Besoj se varet edhe si marrin ndeshjet. Ka qenë një moment i keq i joni këto ndeshjet e fundit. Do bashkohemi çunat siç dimë, pasi kjo është ajo që na ka mbajtur në këto nivele. Besoj se do ringrihemi, duke nisur nga nesër kundër Skënderbeut.,”– deklaroi mesfushori 20-vjeçar i Partizanit, Esat Mala, i cili pasi ka lënë pas dëmtimin, tani është plotësisht i gatshëm për të vazhduar rrugën e sukseseve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!