Triller në “Uembli”, Uotford në finalen e FA!
● Pas një loje të çmendur, përcaktohet edhe finalisti i dytë. Spanjoli Deulofeu shënon dy herë dhe bëhet heroi i skuadrës së vogël londineze.
Gjysmëfinalja e dytë e kupës FA, që u zhvillua në “Uembli” midis Uotfordit dhe Ulvërhemptonit, i pati thuajse të gjitha magjitë që të blaton futbolli. Ishte një triller i vërtetë, një ndeshje e çmendur, plot emocione dhe spektakël, që veç futbolli britanik t’i dhuron.
Ishte minuta e 66-të, kur në fushën e lojës për Uotforin hyri spanjoli Deulofeu. Gjithçka dukej e përfundur. Ulvërhemptoni ishte në epërsi të dy golave. Doherti në të 36-tën dhe Raul Himenez në të 62-tën minute, kishin shënuar dhe fiksuar rezultatin 2-0 për ta.
Por drama sapo kishte nisur. Sulmuesi spanjol i Uotforit, në një ditë të mirë sportive, në minutën e 79-të shënon dhe ngushton epërsinë në 2-1. Në “in extremis” në minutën e 92-të sulmuesi tjetër Troj Dini, fitoi një penallti që po vetë e realizoi. Gjithçka barazohet në 2-2 dhe loja shkon drejt shtesave.
Këtu, në këtë hark kohor sërish do të dilte në skenë spanjoli Deulofeu. Në minutën e 104-t ai do të shënonte sërish, golin e dytë personal, duke mos lejuar që kjo gjysmëfinale të provonte makthin e 11-metërshve. Uotfordi fitoi me përmbysje 3-2, ku natyrisht heroi i këtij takimi ishte sulmuesi spanjol Deulofeu.
Kësisoj, skuadra Uotfordi siguroi biletën e dytë për në finalen e Kupës FA, ku do të përballet me “sheikët” e Mançester Sitit të Guardiolës. Klubi i vogël londinez pas 35 vitesh ia arrin të jetë finalist i Kupa FA, një shans i mire ky edhe për ta fituar këtë trofe, të cilin në vitin 1984 e ka humbur 2-0 ndaj Evertonit.