Faza e katërt, nis koha e verdikteve…

Nga Erga Kruja Kenga

Vendi i dytë në ankand. Pesë skuadra në garë për të, me diferencë të vetëm 5 pikëve midis tyre. Luftëtari, Tirana dhe Kastrioti, në luftë për mbijetesë

Kampionati ka përfunduar ¾ të rrugëtimit të tij dhe dy verdikte janë dhënë, ose janë shumë pranë. Njëri është i sigurtë, Kamza ka rënë, ndërkohë që Partizani ka kohë që ndien aromën e titullit, por pas ndeshjeve të javës së 27-të, duket se ajo është forcuar.

I ndarë në tri pjesë, Superiorja ofron shumë enigma, të cilat do të diskutohen në javët në vijim. Deri para kësaj jave, Kukësi mendohej për titull, por tani ndien dihatjen e ndjekësve. Teuta në pikiadë, ndërkohë që Laçi dhe Flamurtari ecin me hap Europe. Nëse shtojmë edhe Skënderbeun, atëherë lufta për vendin e dytë ndahet mes 5 skuadrave që janë në diferencë vetëm të 5 pikëve. Fundi i njejtë, vazhdon ngjitja e Kastriotit dhe Luftëtarit, ndërkohë që Tirana rikthehet sërish në zonën e mbijetesës.

Laçi duket se ka qenë triumfator i kësaj jave, pas fitores 5-0 ndaj Teutës. 7 gola të shënuar në dy ndeshje dhe me prepotencë, skuadra kurbinase e udhëhequr nga Starova, futet me forcë në luftën për Europën dhe pse në specialitetin e saj, Kupën e Shqipërisë, është eliminuar. Alternativë e vetme për të mbetet kampionati, më saktë vendi i 3-të në renditje. Për ta arritur këtë, së pari duhet të superojë që këtë të mërkurën Kukësin në Laç.

E rrallë, por e vërtetë. Pasi e akuzoi kohë më pare edhe për dëm ekonomik, përsëri e ktheu në krye të skuadrës. Bëhet fjalë për presidentin e skuadrës së Kukësit. Pasi shkarkoi Ramadan Ndreun pas humbjes 2-1 ndaj Kastriotit në Fushë-Krujë, Gjici tani skuadrën ia ka besuar Ernest Gjokës, njeriut që i ka dhënë të vetmin titull Kukësit.

Tirana pasi notoi fort, duket se 3 ndeshjet e fundit e ka humbur stilin. 2 pikë në 4 ndeshjet e fundit i kanë vënë sërish në vështirësi serioze bardheblutë. Aludohet për një komplot nga stafi teknik, por edhe mjedisi rreth e rrotull skuadrës. E megjithatë, 4 penallti të humbura nuk janë pak. Do të mjaftonin dy dhe Tirana do të ishte më e qetë në renditje. Skuadra luan, por rezultatet e kërkuara nuk janë.

Pas një pjese të sezonit fantastike, tani Teuta ecën me frena dore ngritur. Pas humbjes 5-0 në Laç, presidenca ka rikonfirmaur Shkëmbin në krye të skuadrës. Objektivi është po ai. Kërkohet një “vizë shengen” për në Europë. Aktualisht kaq mjafton për drejtuesit durrsakë që të justifikojnë investimin e bërë. Mundësitë janë, veç kërkohet më shumë përgjegjësi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!