Teuta: “Misioni i Shkëmbit vazhdon”…
Trajneri Bledi Shkëmbi do ta vazhdojë misionin e tij për ta çuar skuadrën e Teutës në kupat e Europës. Ky ka qenë edhe vendimi i drejtuesve durrsakë dhe presidentit Hasanbelliu, duke i dhënë edhe një shans tjetër teknikut korçar për të vijuar punën në krye të skuadrës durrsake.
Një vendim të tillë ata e kanë zyrtarizuar para pak çastesh, nëpërmjet një postimi në faqen e tyre në rrjetin social në Facebook, në të cilin njoftojnë:
“Trajneri Bledi Shkëmbi gëzon besimin e plotë të drejtuesve. Kështu që nga nesër ai do të vijojë punën normalisht, ku skuadra do të nisë pergatitjet në kuadër të përballjes me Flamurtarin në ‘Vlorë’, një sfidë direkte për luftën për Europë. Misioni i Shkëmbit për ta çuar Teutën në Europë vazhdon…”, – shkruhet në deklaratën e klubit të Teutës.
Të shtunën, ekipi i Teutës u shpartallua në transfertën ndaj Laçit, duke u mundur 5-0. Në përfundim të takimit, trajneri Bledi Shkëmbi mori përsipër përgjegjësitë, duke lënë të nënkuptohej edhe ndonjë dorëheqje e mundshme. Por presidenti Hasanbelliu ka qenë kundër, ai i ka dhënë votëbesimin e tij trajnerit Shkëmbi.