Shou i vërtetë, 8 gola për vetëm 1 pikë!
Në “Estadio de la Ceramica” nuk u zhvillua thjeshtë një ndeshje futbolli, por një spektakël i vërtetë, i mbushur me ngjarje.
Komplimentet shkojnë për Vijarealin që nuk donte të dorëzohej. “Pleshti” dhe Suarez do të shpëtonin Barçën. Fundi i takimit 4-4, ku skuadrat ndanë nga një pikë, por dhuruan shumë emicione.
Katalanët shënuan dy gola të shpejtë me Kutinjon dhe Malkon në minutat 12 dhe 16, duke krijuan idenë se gjithçka do të ishte e lehtë për të besuarit e Valverdes, që ruante në stol Mesin, Pike dhe Rakitiç.
Por jo. “Të verdhët” reagojnë. 19-vjeçari Çukvueze në minutën e 23-të ngushton epërsinë në 1-2. 45 minutat e dyta ishin të mbushura me surpriza. Ekambi dhe Ibora shënojnë sërish në portën e Ter Shtegenit dhe 3-2 për Vijarealin.
Në fushë zbresin edhe Mesi e Rakitiç, por 10 minuta nga fundi ish-milanisti Karlos Baka, realizon golin e 4-t për vendësit., që dukeshin të papërmbajtshëm.
Por në lojë tashmë kishte hyrë “Pleshti” argjentinas. Në minutën e 90-të, me një goditje që vetëm ai di ta bëjë, Mesi shënon dhe hap lojën. Golin e barazimit 4-4 do ta realizonte uruguajani Suarez në minutën e 93-të, duke i fashitur gëzimin “të verdhëve” të Vijarealit dhe rikthyer qetësinë në kampin katalan të Barcelonës.
Më herët, Atletiko e Madridit kishte mundur 2-0 Gironën në një takim të vështirë, ku fitorja u arrit pas golave të Godin dhe Grizman, realizuar në 15 minutat e fundit të takimit.
Pas javës së 30-të të La Ligës, Barcelona kryeson renditjen me 70 pikë, 8 më tepër se Atletiko e Madridit, të cilën do ta presë të shtunën e ardhshme në “Kamp Nou”, takim ky që me gjasa do të përcaktojë edhe fatet e titullit kampion në Spanjë.