Ferrari zhgënjen, fiton Hamilton…

● Podi plotësohet nga finlandezi Botas dhe ferraristi i ri Leklerk, që dështoi pas një defekti te “kokëkuqja” e tij
Në Çmimin e madh të Bahreinit ndodhi ajo që ferraristët nuk e prisnin. Aq më pak Çarls Leklerk, i cili kur duket se po prekte triumfin, e tradhëtoi njëvendëshja e Ferrarit.
Pasi kishte triumfuar ndaj shokut të skuderisë së tij Fetel, që përkohësisht i mori vendin e parë, në fund të xhiros së 48-të në pistën e Shakhirit, nisën problemet në motorin e makinës së tij.
Britaniku Ljuis Hamilton i Mercedesit që e ndiqte nga pas, përfitoi nga mundësia që iu krijua dhe e kaloi. Pilotin e ri ferrarist Çarls Leklerk e kaloi edhe piloti finalandez Valtderi Botas, për t’u renditur përfundimisht në vendin e tretë në sajë të epërsisë së krijuar gjatë garës.

Në vendin e katër u rendit Maks Verstapen e Red Bullit, i pasuar nga Sebastian Fetel i Ferrarit. Gjermani pas një starti të shkëlqyer, u detyruar të bënte një “pit-stop” për të ndërruar krahun pas një aksidenti, çka e bëri të humbasë kohë dhe të mos ishte më në gjendje të vazhdonte luftën.
Britaniku Ljuis Hamilton, pas fitores së garës, deklaroi: “Sot Çarls e meritonte fitoren, unë shkova dhe e përgëzova atë për garën. Ajo që i ndodhi atij ishte shkatërrimtare, por ai ka shumë fitore përpara tij. Ishte një garë e vështirë, sepse Ferrari ishte i pabesueshëm gjatë gjithë fundjavës. Frynte një erë shumë e fortë, por unë dhashë gjithçka.”
