“Zoti Leli, do të themi rroftë Orikumi!”

Situata në klubin e Flamurtarit është tejet e rënduar. Futbollistët, duke mos përjashtuar tërë stafin e klubin dhe të skuadrës, prej muajsh nuk paguhen. Megjithatë që të gjithë heshtin, të flasin vetëm në konfidencialitet për problemet që kanë. Kanë frikë nga masat dhe penalitetet që mund të marrë klubi ndaj tyre nëse denoncojnë.

Rrinë edhe me shpresën, se ngërçi financiar, sipas premtimeve të presidentit Sinan Idrizi, do të zgjidhen nga dita në ditë. Ata, më të zgjuarit, gjatë merkatos së janarit, ia mbathën nga Flamurtari, dhe e fituan lirinë, edhe duke sakrifikuar disa paga. Për krizën financiare, numri një i klubit vlonjat, akuzon Bashkinë e Vlorës…

Por ky skandal i padëgjuar, nuk mund të rrijë pafundësisht i fshehur. Ai ka shpërthyer pak orëve më parë sot, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Vlorës. 

“Zoti Leli, çfarë po bëhet me Flamurtarin? Klubi ka disa muaj që u ka vënë në dijeni për problemet financiare, do reagoni apo kur të zbresim nga kategoria do themi rroftë Orikumi…”, – ka qenë pyetja e një nga prej anëtarëve të Këshillit Bashkiak.

Pas kësaj pyetjeje sa shpotitëse, por dhe plot sarkazëm, kryebashkiaku Dritan Leli, sipas një raportimi të “Panorama Sportit”, mësohet t’i jetë përgjigjur:

“Askujt nuk i vjen mirë për këtë situatë, por unë i kam dërguar zyrtarisht një shkresë FSHF-së dhe presim përgjigje. Duhet të njihemi më konkretisht me detyrimet që ka klubi, e pastaj të veprojmë. Do të gjejmë një zgjidhje, Flamurtarin nuk duam ta shohim për mbijetesë, por në Europë”.

Të thuash “kjo është për të qarë dhe për të qeshur”, është pak! Edhe të thuash turp, sërish është pak! O tempo, o mores! Bashkia e Vlorës, kryetari i saj Dritan Leli, i kërkojnë FSHF-së se sa është detyrimi financiar i klubit Flamurtari, a thua se Flamurtari eshte ne anën tjetër të Otrantos!

Nuk ka faj kryebashkiaku Leli, se ai çdo muaj e merr pagën e tij, ndonëse ajo edhe mund të mos i hyjë në sy. Por futbollistët, stafi teknik, punonjësit e klubit, të ardhura të tyre financiare kanë vetëm pagat, të cilat prej muajsh u dalin vetëm në ëndërr.

Futbollistëve nuk u duhet se sa borxhe ka klubi Flamurtari, atyre u duhen vetëm pagat e disa muajve për punën që bëjnë…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!