Shkëndija Tetovës, titulli çështje kohe…
Titulli kampion duket se është vetëm çështje kohe për ekipin e Shkëndijës së Tetovës në futbollin e Maqedonisë së Veriut, edhe pse ende janë për t’u luajtur edhe 12 takime deri në përfundim të garës. Tetovarët kryesojnë kampionatin në vendin fqinj me 53 pikët e grumbulluara, +8 më tepër nga Vardari që i ndjek nga afër.
Në ndeshjet e javës së 24-t që u zhvilluan sot në kampionatin maqedonas, Shkëndija e Tetovës arriti të fitonte thellë 3-0 në transfertë ndaj skuadrës së Sileksit, duke mos e vënë për asnjë rast në diskutim rezultatin.
Seria e golave u çel me një autogol të vendësve që luftonin për mbijetesë, për t’u pasuar më tej edhe nga golat e Ibrahimit dhe Musliut, që fiksuan shifrat 3-0 për Shkëndijën.
Me fitore të ngushtë 3-2 e mbylli takimin e saj edhe skuadra tjetër shqiptare e Renovës, që mposhti Belasicën, ndërkohë që Shkupi shqiptar gaboi në shtëpi dhe u mund 0-1 nga Makedonija.
Renova dhe Shkupi ndajnë midis tyre vendin e katërt dhe të pestë, me nga 33 pikë të grumbulluara që të dyja në këto 24 jave të kampionatit në Maqedoninë e Veriut.