Partizani, në apel mungojnë 6!

Edhe pse ndeshja e nesërme e Partizanit ndaj Kukësit, që do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës është vetëm për javën e 26-të të kampionatit, ajo ka marrë ngjyrimet dhe përmasat e finaleje të parakohshme.

Një rezultat pozitiv do t’i afronte akoma më tepër “të kuqtë” e kryeqytetit me titullin, si dhe t’i shuante përfundimisht kuksianëve ëndërrën për ta synuar trofeun e lartë të Superiores për këtë sezon. Diferenca e 9 pikëve midis tyre, ka kompozuar këtë panoramë.

Por pikërisht, në prag të kësaj finaleje të parakohshme, trajneri Skënder Gega është në hall. Për shkak të dëmtimeve, organika e Partizanit është e përgjysmuar. Plot 6 futbollistë i mungojnë në apel teknikut tropojan për këtë sfidë kaq delikate dhe përcaktuese!

Kësisoj, pas lamtumirës për shkak dëmtimi të mbrojtësit Hektor Idrizaj dhe operimit të mesfushorit Bruno Telushi, trajneri Gega nuk do të ketë edhe shërbimet e mesfushorit Dilaver Duka dhe sulmuesit Rubin Hebaj po për arsye dëmtimesh, ndërkohë që dihet mungesa e mbrojtësit Lum Rexhepi për plotësimin e numrit të kartonëve.

Dhe sikur të mos mjaftonin të gjithë këta, listës së gjatë të mungesave, me shumë gjasa mund t’i shkohet edhe emri i sulmuesit Jurgen Bardhi, që edhe ky për shkak dëmtimi, nuk do të jetë i gatshëm për “finalen” e parakohshme ndaj Kukësit.

Përballë kësaj tabloje dhe klime aspak të pëlqyeshme në kampin e kuq, trajnerit Skënder Gega nuk i mbetet alternativë tjetër, veçse “ta arnojë” Partizanin për supersfidën e nesërme në “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!