“Ne jemi gati, jemi të parët…!”

Në prag të ndeshjes ndaj Kukësit, në konferencën e zakonshme për shtyp në mjediset e klubit Partizanit, sot paradite trajneri Skënder Gega, u paraqit përkrah mesfushorit elbasanas Ardit Hila.

Të dy së bashku, duke folur për takimin e nesërm të Shkodrës, ishin në sintoni në ato që thanë dhe u përpoqën që presionin t’ia kalonin kundërshtarit. Trajneri Gega dhe mesfushori Hila, folën dhe prekën shumë probleme, madje edhe për ekipin kombëtar.

Ata folën edhe për mungesat që do të ketë skuadra në këtë takim për shkak dëmtimeve, ku tekniku Gega deklaroi, se kishte ende shpresa për rikuperimin e sulmuesit Bardhi, duke theksuar se ato janë të pa evitueshme, prandaj edhe skuadra ka 25 futbollistë të federuar.

Trajneri Gega:“Ndeshja nesër është e rëndësishme. Kemi ardhur pas një periudhe pushimi, kemi pasur probleme, siç është dëmtimi i Telushit, që është një nga pikat më të forta tona. Edhe Idrizaj gjithashtu pak më parë. Javën që kaloi patëm dy mungesa të tjera, Hebaj dhe Bardhi. Bardhi po rikuperohet, të shikojmë nëse do të jetë gati deri nesër. Jemi gati megjithë mungesat që kemi. Do të shkojmë në Shkodër për më të mirën, jemi në vend të parë, 9 pikë larg”.

Ardit Hila:“Është ndeshje e rëndësishme, por jo një finale për ne. Duhet thjesht të japim më të mirën dhe të luajmë pa presion. Kemi qenë gjithmonë me këmbë në tokë. Nuk mendojmë çfarë do të ndodhë pas disa ndeshjesh, por për sfidën e radhës. Nuk besoj se një rezultat negativ do të prishte balancat”.

Trajneri Gega:“Klubet kanë një listë prej 25 vetash sepse meren parasysh të gjitha, edhe kundërshtarët kanë pasur mungesa. Ardhja e Hilës i ka dhënë ekipit kofidencë. Kur mungonte e kemi zëvendësuar me Atandën që ka bërë mirë. E rëndësishme është të kemi të njëjtën përformancë. Kemi arritur të jemi këtu ku jemi falë këtyre”

Ardit Hila:“Telushi ka qenë ndër lojtarët më të mirë të ekipit. Çdo lojtar ka përgjegjësinë e tij, normalisht edhe unë. Ne jemi të qetë, jemi stërvitur mirë, pavarësisht dëmtimit të lojtarëve. Grupi ka harmoni. Natyrisht, përgjegjësia bie edhe mbi mua pas mungesës së Telushit, kam pak më shumë përgjegjësi edhe për sa i përket kërkimit të golit”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!