Ukraina rrezikon të humbë në tavolinë…

Ndeshjet eliminatore të marsit për Euro 2020-n kanë përfunduar. Zhurma rreth tyre jo. UEFA ka nisur hetimet për Ukrainën, e cila rrezikon t’i humbë në tavolinë të dy ndeshjet e saj të para.

Si të parën, atë në transfertë ndaj Portugalisë më 22 mars që përfundoi 0-0, por edhe të dytën, atë ndaj Luksemburgut më 25 mars po në transfertë, që e fitoi 2-1.

Shkak janë bërë akuzat e Portugalisë dhe Luksemburgut për aktivizimin në këto dy takime të brazilianit të natyralizuar si ukrainas, Xhunior Moraes. Ata kanë pretendimin se braziliani Moraes, që aktualisht luan me skuadrën e Shahtjor Donjeskut, nuk i plotëson kushtet për të luajtur si i natyralizuar.

Sipas tyre, periudha më e gjatë e vazhdueshme që braziliani Moraes ka jetuar në Ukrainë, është 4 vjet e 7 muaj, ndërkohë që rregulloret e FIFA-s thonë se një futbollist duhet të ketë “jetuar vazhdimisht për të paktën pesë vjet pas moshës 18 vjeç në vendin përkatës, si kriter për t’u natyralizuar si nënshtetas i atij vendi”.

UEFA njofton se Komisioni i Etikës dhe Disiplinës e ka marrë protestat e Portugalisë dhe Luksemburg për këtë çështje, madje ka nisur hetimet rreth saj, por pa përcaktuar kohën se kur do të shprehet.

Pas dy ndeshjeve eliminatore të Euro 2020 për muajin mars, grupin B e kryeson Ukraina me 4 pikë, e ndjekur nga Luksemburgu me 3 dhe Portugalia me 2, Serbia 1 dhe Lituania 0 pikë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!