Italia e Spanja, në një mbrëmje me drama…
Ndeshjet e marsit për eliminatoret e Euro 2020-tës përfunduan. Në mbrëmjen e sotme, u zhvilluan 8 takimet e fundit, ku nuk munguan as surprizat dhe as befasitë.
Grupi “J” – Axurrët e Italisë nuk patën aspak mëshirë ndaj Lihtenshtejnit modest, të cilin e shpartalluan 6-0. Sensi (17’), Verrati (32’) Kin (70’), Pavoleti (76’) dhe dy herë Kualjarela (35’, 45’) nga pika e penalltisë, ishin autorët e golave italianë, të cilët tani udhëheqin grupin me 6 pikë.
Surpriza ndodhi në Bjello Polje. Bosnja bëri “vetëvrasje”. Ndërsa ishte në epërsi 2-0 ndaj Greqisë, pas golave të Viskës (10’) dhe Pjaniç (15’), në pjesën e dytë ndodhi përmbysja. Helenët barazuan në 2-2, me gola të Fortunis (64’) me penallti dhe Kolovos (85’), ndërkohë që Pjaniç u ndëshkua me karton të kuq (65’), duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë.
Në takimin e tretë të këtij grupi, Finlanda fitoi 2-0 në transfertë ndaj Armenisë. Jensen (14’) dhe Soiri (78’) shënuan.
Grupi “D” – Drama ndodhi në Bazel. Në takimin Zvicër – Danimarkë. Ndërsa helvetët kryesonin 3-0, pas golave të Freuler (19’), supergolit të Xhakës (66’) dhe Embolos (76’), në 6 minutat e fundit të takimit, danezët shpërthyen dhe i shtangën vendësit. Jorgensen (84’), Gytkjaer (88’) dhe Dalsgard (90’) shënuan dhe barazuan ndeshjen në 3-3.
Irlanda fitoi 1-0 ndaj Gjeorgjisë me gol Hourihanit (36’) dhe kryeson grupin me 6 pikë pas dy ndeshjesh.
Grupi “F” – Rumania fitoi me lehtësi 4-1 ndaj Ishujve Faroe. Deac (26’), Keseru (29’, 33’) dhe Puskas (63’) ishin autorë të golave, ndërkohë që Davidsen (40’) shënoi nga pika e penalltisë për Faroen.
Edhe pse në transfertë, Spanja nuk e pati të vështirë të fitonte 2-0 ndaj Maltës. Morata (31’ dhe 73’) ishte heroi i takimit për spanjolët, të cilët pas dy ndeshjesh kanë 6 pikë dhe kryesojnë grupin.
Drama nuk mungoi në takimin Norvegji – Suedi, që u mbyll në 3-3. Pas dy golave të vendësve, të realizuar nga Johansen (41’) dhe King (59’), suedezët jo vetëm barazuan në 2-2, por kaluan edhe në epërsi. Klaeson (70’) realizon një top të kthyer nga penalltia, Norvetvelt shkakton autogol dhe Kuaison (90’) shënon golin e tretë për Suedinë. Brenda minutit norvegjezët reagojnë dhe shënojnë. Kamara (90’) fikson shifrat në 3-3.