Euro 2020: Shqipëri sulmuese, fitorja detyrim…

● Andorrë-Shqipëri, ora 20 45 në “Estadio National” të Andorrës.
Nga: Isuf Myrtaj
Sonte në mbrëmje, Shqipëria ka shansin e dytë në aventurën për Euro 2020-n. Trajneri i ri i emergjencës Ervin Bulku, ka gjithashtu rastin ta nisë rrugëtimin si teknik me një fitore, çka do të ndryshonte humorin në kampin kuqezi. Përballë, në transfertë ka Andorrën, që konsiderohet një kundërshtar relativisht i lehtë, por me të cilin kemi histori jo këndshme. Gjithsesi, skuadra modeste e “principatës spanjole”, duhet mposhtur me çdo kusht e të gjitha mënyrat. Shqipërisë i nevojiten 3 pikët.
Pikërisht për këtë arsye, sipas informacionet që ka “Sporti IM”, tekniku Bulku kërkon t’i japë një fytyrë tjetër skuadrës sonë kuqezi. Sulmi do të jetë kryefjala e lojës së futbollistëve tanë në stadiumin “Estadio National” të Andorrës.
Kësisoj, edhe pse gjithçka ende nuk është zyrtare, nga sa është vërejtur në seancën e fundit stërvitore, ndryshimet më të mëdha në radhët e kuqezinjve do të jenë në repartin e mesit të fushës dhe sulmit. Do të luhet me vendosjen taktike 1-4-3-3 të lojtarëve. Natyrisht që në portë, do të jetë Berisha, përpara të cilit do të vendosen Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Veseli, që është në një balotazh me Alijin.
Në mesfushë, Basha do të zerë vendin e Memushajt, ndërsa Kaçe atë të Abrashit, duke u plotësuar me Xhakën nga e majta. Reparti ofensiv do të jetë i përbërë nga Uzuni në të djathtë, Grezda nga e majta, që do të mbështesin Sadikun në majë të këtij reparti.
Shqetësim të futbollistët tanë kuqezinj, pritet të jetë terreni i mbulur me tartan i stadiumit. Në orën 20:45, Shqipëria do të sfidojë Andorrën, në një takim, ku vetëm fitorja do të jetë synimi i vetëm i “shqiponjave” kuqezi.
Formacioni i mundshëm i kombëtares sonë: Berisha; Hysaj, Gjimshiti, Ismajli, Veseli; Basha, Grezda, Kaçe, Xhaka, Uzuni, Sadiku.