“Pushimet”, kampionatet gati të rinisin…

Java e 26-të e Superiores do të nisë me supersfidën Kukësi – Partizani, takim që do të zhvillohet të premten e 29 marsit, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Pas ndeshjes me Andorrën, përfundojnë edhe “pushimet” për futbollin shqiptar, të imponuara këto për shkak të ndeshjeve të kombëtares.

Pas 14 ditësh, kohë që skuadrat shqiptare e shfrytëzuan për miqësore, apo rikuperuar dëmtimet e mundshme, në fundjavën e ardhshme rinisin kampionatet kombëtare për Superioren dhe Kategorinë e Parë.

Superiorja do të startojnë me supersfidën e javës së 26-të, përballjen Kukësi – Partizani, që në njëfarë mënyre, do të përcaktojë edhe fatet e garës për titull në këtë kampionat.

Ky takim do të zhvillohet të premten e 29 marsit, në orën 18:00. Ndryshe nga “Elbasan Arenës” ku kanë luajtur së fundmi, kësaj here kuksianët kanë zgjedhur “Loro Boriçin” e Shkodrës për t’u perballur me “demat” në këtë supersfidë të javës.

Të shtunën, më 30 mars, duke nisur nga ora 14:00, do të zhvillohen tri takimet e mbetura të kësaj jave. Fillimisht Luftëtari – Skënderbeu dhe më pas, në orën 17:00, dy takimet e tjerë: Tirana – Laçi dhe Teuta – Kastrioti. Flamurtari do të jetë pushim, pasi kundërshtari i saj i javës, Kamza, është përjashtuar nga kampionati.

Po të shtunën e 30 marsit, do të nisë edhe kampionati i Kategorisë së Parë, fillimisht me ndeshjet e “play-off”-it dhe një ditë më pas, me ato të “play-out”-it.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!