Policia “rrethon” Shkodrën për turqit…

Policia e Shtetit ka shpallur sot masat teknike dhe organizative, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Turqisë, takim ky i vlefshëm për kualifikueset e Euro 2020-s, që do të luhet të premten në orën 20:45 në stadiumin “Loro Boriçi” të këtij qyteti.

Një nga masat kryesore është pikërisht kufizimi i qarkullimit në rrugët përreth stadiumit, sikurse edhe parkimi i automjeteve.

“Për lëvizjen e automjeteve dhe parkimin e tyre do të përdoret Unaza e qytetit Shkodër, si nga krahu lindor, ashtu edhe nga krahu perëndimor. Për parkim të automjeteve në qytetin e Shkodrës do të përdoren sheshi “Mehmet Shpendi” tek ish-Ndërmarrja e Fermentimit; gjatësia e rrugës së Shkollës së Mesme Industriale “Arben Broci”; sheshi te stacioni i trenit të udhëtarëve; sheshi dhe rruga te “Fusha e druve” në unazën lindore”, njofton policia.

Sa i përket kufizimit të qarkullimit, në rrugën “Bujar Bishanaku” (rruga e gjerë e Kirasit) nuk do të lejohen makina, duke filluar nga ora 10:00 deri në orën 24:00. Kjo rrugë, siç thekson policia, do të jetë i vetmi aks i hyrje-daljeve të tifozëve vendas dhe të huaj.

Edhe në aksin bulevardi “Zogu i Parë” (sheshi “Parrucë” deri tek ish “5 Heronjtë”), nuk do të qarkullohet në të njëjtin orar.

Do të ndalohet parkimi lëvizja e automjeteve nga degëzimet e rrugës që të çojnë në rrugën “B. Bishanaku” dhe anasjelltas; në rrugën “Zyhdi Repishti” (rruga e ish-poligonit të qitjes); në rrugën e tregut industrial dhe fruta-perimeve në Zdrale.

Ndërkohë, kufizim lëvizjeje të automjeteve në orët e pasdites, deri në përfundim të ndeshjes do të ketë në segmentet rrugore: “Xhabije – Parrucë”; “Sheshi 2 Prilli – Parrucë”; “Kryqëzimi i ish degës – Ish 5-Heronjtë” dhe “Kryqëzimi i Rusit – Ish 5-Heronjtë”.

Tifozët ftohen të nisin futjen në stadium që në orën 17:00 për të shmangur konfuzionet.

“Kërkojmë mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave, si dhe pajisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi në hyrje do të kontrollohen fizikisht të gjithë”, thotë policia.

Policia u bën thirrje bizneseve që zhvillojnë aktivitet tregtar përreth stadiumit “Loro Boriçi” t’i mbyllin ato në orën 14:00.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!