Trukimet, Etika nis hetimet…

● Në Kategorinë e Parë, një nga ndeshjet e evidentuara është fitorja 3-2 e Besës me Egnatian e Rrogozhinës. Merren në pyetje futbollistët.

Trukimet e ndeshjeve në futbollin shqiptar, pavarësisht raporteve dhe sinjalizimeve nga UEFA, nuk kanë nxituar aspak prokurorinë shqiptare për të thelluar hetimet, apo për të ndërmarrë ndonjë hap hetimor.

Kodi i Disiplinës Sportive mbetet i cunguar dhe me pak hapësira vendimmarrje, për sa i përket çështjeve të tilla dhe rasti i gjyqit të fituar nga Skënderbeu në CAS, për çështjen e titullit të hequr nga FSHF, e tregon qartë hapësirën e interpretueshme të Kodit të Disiplinës.

Por shqetësimi i raporteve që vinë, duket se ka vënë në lëvizje organet e drejtësisë sportive pranë FSHF. Prej pak kohësh janë marrë në pyetje përfaqësues dhe lojtarë të 5 klubeve, për të cilët ka sinjalizime për ndikim në rezultate.

Edhe pse ende nuk zbardhen emra, bëhet fjalë për skuadra të Kategorisë së Parë dhe të Superligës. Kupa e Shqipërisë, e konsideruar si një aktivitet i nivelit të dytë krahasuar me kampionatin, jo rrallë herë është bërë pjesë e një skeme marrëveshjesh, apo tolerimesh. Një gjë e tillë është sinjalizuar më së fundi nga raportet e UEFA-s, të cilat tashmë kanë investigime më të thella, duke përmendur emra.

Ndërkohë në Kategorinë e Parë, një nga ndeshjet e evidentuara është fitorja 3-2 e Besës me Egnatian e Rrogozhinës. Për këtë arsye janë marrë në pyetje lojtarët e të dyja skuadrave, të cilët kanë deponuar: “Ishim të pa paguar dhe në formë proteste kishim vendosur të mos luanim, nuk kishim qëllime për të shitur ndeshjen apo luajtur baste, – janë shprehur futbollistët e Egnatias së Rrogozhinës.”.

Ndërkohë mësohet, se futbollistë të Besës kanë thënë:“Kishim mësuar që lojtarët e Egnatias kishin vendosur të mos impanjoheshin në atë ndeshje dhe për këtë arsye e morëm më lehtë seç duhet, prandaj u gjendëm në disavantazh 2-0 në pjesën e parë. Ndërkohë në të dytën u mobilizuam dhe arritëm ta kthejmë rezultatin”.

Protesta e lojtarëve të Egnatias mund të ketë shërbyer si një skenar përfitimi nga persona të caktuar, duke patur dyshime të forta se kjo ndeshje është e trukuar. Gjithsesi, kjo edhe disa ndeshje të tjera, përfshirë edhe ato të Kupës së Shqipërisë me skuadra të Superligës, janë në fazën e hetimeve përfundimtare nga ku priten dënime, raporton “Top Channel”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!