Befasi, shkarkohet trajneri Armando Cungu!
Ajo që përflitej në mjedisin sportiv pas humbjes ndaj Skënderbeut në Korçë, ka ndodhur. Shkodrani Armando Cungu nuk do të jetë më trajneri i skuadrës së Kukësit.
Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e klubit verilindor. Skuadra e Kukësit sqaron se për pasojë të mungesës së rezultateve në javët e fundit, drejtuesit klubit dhe trajneri Cungu i kanë dhënë fund bashkëpunimit midis tyre.
Klubi i Kukësit e falenderon trajnerin Armando Cungu për kontributin e dhënë në drejtimin e skuadrës së tyre dhe i uron suksese në karrierë.
Që nga dita e sotme, në krye të pankinës së Kukësit do të ulet Ramazan Ndreu, që mbante detyrën e drejtorit të menaxhimit të klubit verilindor. Kujtojmë se Ndreu është edhe fitues i Superkupës dhe një Kupe të Shqipërisë, si drejtor teknik pranë skuadrës kurbinase të Laçit.