Lorenc Trashi, me urgjencë vishet kuqezi…
● Superiorja “furnizon” kombëtaren kuqezi në prag të startit të “aventurës” eliminatore për Euro 2020.
Pas portierit kurbinas Gentian Selmani, i cili zëvendësoi Thomas Strakoshën të pezulluar nga trajneri Panuçi, një tjetër futbollist nga Superiorja, ka marrë ftesën për t’u bërë pjesë e kuqezinjve për ndeshjet ndaj Turqisë dhe Andorrës.
Ai është Lorenc Trashi, mbrojtësi i majtë i të kuqve të kryeqytetit, që është thirrur me urgjencë për t’iu bashkuar kuqezinjve të kombëtares. Ky i fundit prej dy sezonesh ofron paraqitje mjaft të mira me klubin e Partizanit, ndërsa tashmë ka ardhur momenti të dëshmojë edhe para Panuçit, se e meriton një vend në kombëtare, ku të paktën për ndeshjet e radhës do të rivalizojë me Naser Alijin.
Mjedisi, në ditën e pare të grumbullimit të kuqezinjve, në resortin “Tropikal” të Durrësit, nuk ka qenë i qetë.
Pas masës disiplinore ndaj Thomas Strakoshës, dëmtimet e Andi Lilës dhe Egzon Binakut, ia kanë prishur disi humorin dhe planet trajneri Panuçi. I është dashur të veprojë shpejt për të mbushur boshllëqet.
Për Strakoshën thirri Gentian Selmanin nga Laçi. Për Lilën thirri Ylber Ramadanin nga Danimarka. Për Binakun thirri Ermir Lenjanin nga Zvicra. Ky i fundit, e ndjeu veten të fyer nga trajneri Panuçi, dhe e refuzoi ftesën për t’u bërë pjesë e kombëtares.
Në këto kushte, fati i buzëqeshi mbrojtësit të Superiores, Lorenc Trashit të Partizanit për t’u bërë pjesë e kuqezinjve. Aty, ai do të gjejë edhe kapitenin e ekipit, portierin Alban Hoxhën, që do të jetë edhe si një lloj kujdestari për Trashin.
A do të kemi firo të reja në radhët e kuqezinjve? Ndoshta…