Stojku fatlum, tani tek Apolonia

Vetëm kështu mundet ta cilësosh trajnerin e ri Gentian Stojku. Në një kohë kur me dhjetëra trajnerë janë të papunë dhe në kërkim të një ekipi, elbasanasi 44-vjeçar brenda javës, nis punën si trajner i ri i ekipit të Apolonisë.

Lajmin e konfirmon vetë klubi fierak, me anë të një postimi në rrjetin social në Facebook. Drejtuesit e skuadrës Apolonisë, pasi kanë ndërprerë me mirëkuptim kontratën me trajnerët serbë Rade Miliç dhe Stefan Careviç, njoftojnë se kanë arritur akordin për vazhdimin e kampionatit me trajnerin Gentian Stojku.

Kjo është skuadra e tretë që elbasanasi Stojku ndryshon brenda këtij sezoni. Fillimisht ai ishte trajneri i Erzenit në kategorinë e parë, nga ku u largua për t’u ulur në pankinën e skuadrës nga periferia e kryeqytetit, vend i lënë vakant nga Ernest Gjoka.

Një javë më parë, Gentian Stojku ishte trajneri i Kamzës në Superiore, skuadër të cilën, përpara se Komisioni i Disiplinës ta përjashtonte nga kampionati, e udhëhoqi në dy takime. Në humbjen me Kukësin (3-2) dhe barazimin me Laçin (1-1).

Më herët, duke nisur nga viti 2004, elbasanasi Gentian Stojku ka qenë trajner i Sopotit të Librazhdit, Pogradecit, Tomorit të Beratit, Erzenit të Shijakut, për dy ndeshje i Kamzës, për t’u rikthyer sërish në kategorinë e parë, tani në krye të skuadrës së Apolonisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!