Smajlaj dhe Gega, “turistë” në Europian…
… Jo për fajin e tyre. Përgjegjësia bie mbi drejtuesit e Federatës Shqiptare të Atletikës.
Atletët Izmir Smajlaj dhe Luiza Gega, në fakt ishin në Gllazgou të Skocisë, ku u zhvilluan garat e kampionatit europian për salla të mbyllura.
Panë dhe u kthyen… Gara nuk zhvilluan as njeri dhe as tjetri…
Atleti shkodran i kërcimit të gjati, Izmir Smajlaj, shkoi në Gllazgou i dëmtuar, me shpresë se gjatë qëndrimit atje, me ndihmën e mjekëve do të bëhej i gatshëm për të konkurruar!?
Kjo nuk u arrit dhe Smajlaj nuk mori pjesë në garën e kërcimit të gjati, pasi mund të dëmtohej më tepër.
Gafa tjetër ndodhi me atleten e vrapimeve të gjata, Luiza Gegën. Ajo ishte planifikuar që të shtunën të konkurronte në garën e 1500 dhe 3000 metrave. Nuk bëri as njërën dhe as tjetrën.
Organizatorët e europianit e skualifikuan. Gega u penalizua nga ndryshimet e rregullores, për të cilat ajo dhe trajneri i saj Taulant Stërmasi, u njohën me vonesë!?
Ne nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të presim garat e ardhshme të radhës, me shpresën që Izmir Smajlaj të jetë mirë fizikisht dhe stafi i Luiza Gegës t’i njohë përpara dhe mirë rregulloret e aktiviteteve…