FSHF paralajmëron masa ekstreme, apel policisë!

Pas dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarit Eldorian Hamiti nga një grup rrugaçësh, në përfundimin e ndeshjes Kamza – Laçi, menjëherë ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit. Ajo dënon ashpër aktet e shëmtuara të dhunës dhe njëherësh u bën thirrje organeve të rendit dhe atyre ligjzbatuese që marrin masat e nevojshme për të siguruar qetësinë dhe mbarëvajtjen e këtij aktiviteti. Institucioni i futbollit shqiptar ka paralajmëruar masa shumë të rënda nga ana e saj, si dhe i bën apel organeve të rendit për të rikthyer në mjediset sportive forcat policore, duke i gjykuar si të nevojshme në këtë situate që po përjeton vendi ynë.

DEKLARATË PËR SHTYP

Federata Shqiptare e Futbollit dënon ashpërsisht dhunën e ndodhur sot në ndeshjen Kamza-Laçi, e vlefshme për javën e 24-të të Kategorisë Superiore. Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur sigurinë e garës së futbollit në Shqipëri.

FSHF prej muajsh ka kërkuar reagimin e institucioneve të shtetit shqiptar për të zbatuar ligjin dhe për të nxjerrë përpara drejtësisë autorët e skenave të dhunës në stadiumet shqiptare. Ruajtja e rendit dhe sigurisë publike në mjediset sportive është detyrë institucionale e organeve të Policisë së Shtetit, detyrë e cila siç u evidentua edhe në ngjarjen e sotme vazhdon të mos kryhet.

Ne dënojmë dhunën, si një fenomen qe jo vetëm cenon rëndë vërtetësinë e garës por edhe imazhin e lojës. Federata Shqiptare e Futbollit, dënon ashpër çdo akt dhune, që vjen nga tifozët, zyrtarët, futbollistët apo kushdo tjetër. Ne presim që të gjithë aktorët të bëjnë punën e tyre ashtu siç i kërkojmë komisioneve që të jenë ekstremisht të ashpër me ata që prishin imazhin, jo vetëm të lojës por edhe të futbollit shqiptar.

Ne kërkojmë në mënyrë të përsëritur të rishikohet vendimi i nxituar për të larguar përfundimisht Policinë nga stadiumet. Në kushtet ku Shqipëria ndodhet e gjykojmë të pavend. Ky vendim i nxituar cenon rëndë mbarëvajtjen e garës më të ndjekur sportive në Shqipëri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!