Flamurtari i pafat, Kastrioti nuk dorëzohet…
Flamurtari ishte i pafat në sfidën e sotme ndaj krutanëve dhe nuk shkojë më tepër se një barazim 1-1. Ndonëse në 45 minutat e dyta, kuqezinjtë vlonjatë ishin superiorë dhe krijuan një mori rastesh për gol, portieri Çekrezi u shndërrua në protagonist për krutanët, që nuk duan të dorëzohen.
Blerja më e bujshme e vlonjatëve në merkaton e janarit, ajo e shkodranit Xhevahir Sukaj, në minutën e 33-të tregoi se edhe pse prej shumë kohësh larg fushës së blertë, ende nuk ka harruar të shënojë. Topin e Kotobellit nga krahu i majtë, ai e godet me kohë dhe 1-0 për Flamurtarin.
Në vijim loja e vlonjatëve vjen dhe e ul ritmin. Për ta fitorja duket e sigurtë dhe çështje kohe. Por nuk janë të këtij mendimi krutanët, që nuk pajtohen me këtë rezultat. Në minutën e 54-të, nga një goditje standarte, Marku godet me kokë dhe barazon në 1-1.
Në minutat e mbetura kemi sfidën Çekrezi – Flamurtari. Portieri i krutanëve shndërrohet në një hero të vërtetë. Edhe pse Sukaj, Kale, Veliu, apo Musta e testojnë me gjuajtje, ai nuk mposhtet.
Përfundimi 1-1! Flamurtari bën një hap tjetër të gabuar në fushën e tij, ndërsa Kastrioti shënon surprizën e radhës, duke dëshmuar se nuk do të dorëzohet lehtë në përpjekjet e tij për mbijetesë në Superiore.