“Tifozi” Braçe, kryqëzon gjyqtarin Myrtja

Erion Braçe është i njohur nga i gjithë opinioni sportiv, si tifoz dhe përkrahës i skuadrës së Partizanit. Këtë ai nuk e ka fshehur në asnjë rast, madje edhe është përfshirë në mbrojtje të të interesave të klubit të kuq, duke bërë shpesh herë edhe rolin e avokatit.

Pas përfshirjes së tij në kabinetin e kryeministrit Rama, në rolin e zv.kryeministrit, zoti Braçe, nuk ishte parë më në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi” kur luante Partizani. Ndokush mund të ketë menduar, se pasioni i tij për këtë pasion, është fashitur. E ka patur gabim.

Pas polemikave për ngjarjet e ndodhura në takimin Partizani – Flamurtari, zhvilluar të shtunën në stadiumin “Selman Stërmasi”, zv.kryeministri tifoz i Partizanit, Erion Braçe, ka reaguar në rrjetin social “Instagram”. Natyrisht, duke u distancuar nga shfaqjet e dhunës në atë takim dhe duke kryqëzuar gjyqtarin Indrit Myrtja, të cilin e etiketon si të paaftë.

“PËR DY LEGJENDA,

PARTIZANIN E FLAMURTARIN, ARBITRIN E PAAFTË, ZOTIN IDRIZI DHE PËR VETE!

Po i nderuar zoti Idrizi, nuk shkrova dje e sot për ndeshjen Partizani-Flamurtari vetëm prej atij episodi të izoluar dhune! Nuk me pëlqeu! S’e pranoj!

Por meqë ju më ftoni të flas, në shenje respekti për ata që luajnë në fushë, atë që i ndjekin dhe të gjithë ju që investoni, po e bëj!

E para: Qysh ditën që kam marre detyrën nuk kam shkelur më në stadium; Nuk dua të dukem si ata që kam sulmuar e jo më të bej si ata! Ti nuk e merr me mend sa më dhemb kjo, por besoj më mire kështu se sa qenia ime aty të dyshohet, gjykohet e dënohet si ndërhyrje në garë!

E dyta: E pashë ndeshjen ARBITRI ISHTE I PAAFTË!

Harroje se e kishte blere Partizani! Ti e di fare mirë se Partizani e ka vuajtur këtë gjë dhe nuk e bën kurrë kundër të tjerëve. Arbitri nuk ishte as “kamikaz” siç një arradhe e madhe qe është sjelle kështu kundër Partizanit. Pra, po ju them se Partizani kurrë nuk hyn në marrëdhënie me arbitrat, kurrë!

E treta, raporti i ndeshjes: Ai për vendimet e arbitrit, nuk mund të jetë ai i një gazetari të njëanshëm që më në fund e pa “një ditë të bardhë” të hedhë arbitra në favor të Partizanit! Edhe unë mbaj shënime kur kam nge dhe arbitri nuk ndëshkoi një seri faullesh të rëndë kundër Partizanit, si ai i Trashit apo më të rende se ai.

E katërta: Nxjerrja me të kuqe e lojtarit të Flamurtarit ishte banale, vendim idiot dhe më ulëritësi që dëshmon paaftësinë e arbitrit!

E pesta: Dhuna e 5 personave, vetëm 5 të tillëve në 4000 që ishin në stadium, ishte e turpshme, e papranueshme dhe për këtë shkak, tifozët e klubi e kane dënuar publikisht! Nuk e kuptoj pse e donit nga unë këtë. Unë jam njëri nga ata mijëra të kuq që e duam futbollin, jo dhunën!

Por këtu më lejo të them: Një ndeshje futbolli është gare, pasion e betejë e ndershme deri në fund!

NUK MUND TË JETË KURRË PROVOKIM, TALLJE APO HUMBJE KOHE.

Ndodh të kthehet edhe kështu, por ky nuk është futbolli që unë e ju pëlqejmë, ndryshe shkojmë poshtë kalit të Skënderbeut e thërrasim këtë fotografin për foton e duhur, atje jo ne stadium! Lëre pastaj kur dhunën e thërret vetë fotografi.

E fundit, respekt pa fund për Vlorën! Përulem”, përfundon reagimi i tifozit të të kuqve, zv.kryeministrit Erion Braçe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!