“Tradhëtari” Alvesh akuzon…

Braziliani Danilo Alvesh që nga dhjetori i kaluar, i ka dhënë lamtumirën Vlorës. “Divorcin” me Flamurtarin, ai e ka zyrtarizuar para pak kohësh, duke firmosur për të luajtur me ekipin Okzetpes në kampionatin kazak.

Ndërkohë, drejtuesit e klubit vlonjat janë shprehur, se “divorci” me brazilianin nuk është një çështje, e cila do të kalojë me lehtësi. Ata kanë deklaruar, se për arratisjen e Alveshit do të mbajnë qëndrim dhe do të ankohen në FIFA.

Por për sulmuesin Danilo Alvesh duket se “kapitulli” Flamurtari është i mbyllur. Madje, në një intervistë për “sports.kz”, ai shprehet se deri në çastin që është larguar nga Vlora, nuk është paguar, çka e ka detyruar që jo vetëm të largohet, por edhe ta ankimojë problemin e tij për zgjidhje në FIFA,

Në këtë intervistë, braziliani Danilo Alvesh, tregon për jetën e tij në Vlorë, por edhe për aventurën e shkurtër me ekipin turk Afjet Ajonspor, pas së cilës, sërish u rikthye në Vlorë.

“Aventura në Shqipëri? Aventura ime në Shqipëri ishte shumë e mirë pasi kam luajtur 3 vite me Flamurtarin megjithëse kishte gjithmonë problëme me pagesat. Për 3 sezonet që kam luajtur atje, i fundit ishte i tmerrshëm financiarisht. Kam luajtur gjysmë sezoni pa marrë asnjë pagë. Prandaj, mendova se është më mirë që të lëviz. U mundova që të arrija një marrëveshje dypalëshe me klubin që të më paguante të paktën vetëm pjesën që kam luajtur, domethënë ato 5 muaj por drejtuesit më thanë se nuk do të më lënë të largohem. Do të më pëlqente të kthehesha, por nuk mund të punoj me muaj pa asnjë para. Prandaj, vendosa që ta zgjidh kontratën nëpërmjet FIFA-s.

Futbolli në Shqipëri? Isha shumë i lidhur me Shqipërinë pasi njerëzit e trajtonin shumë mirë familjen time. Në Shqipëri ka futboll cilësor dhe shumë të fortë. Ishte eksperienca ime e parë jashtë dhe realisht më ka pëlqyer shumë. ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe kam mësuar shumë. Shqipëria është një vend ku të gjithë jetojnë për futbollin, flasin për futbollin dhe ka shumë rivalitet, por në të njëjtën kohë ka edhe shumë gjëra që duhen përmirësuar.

Largimi në Turqi? Për fat të keq, Turqia nuk ishte një përvojë shumë e mirë. Mendoj se kjo është hera e parë në histori kur një ekip në ligë profesionale nuk di se çfarë të bëjë me lojtarët e tyre të huaj. Por, problemi më i madh ishte se isha në Turqi me familjen time dhe nuk doja të jetoja në banesën e klubit, pasi ata ndryshonin hotelet çdo javë. Djali im nuk mund të hante ushqim vendas dhe shtëpia ishte shumë e vogël dhe nuk kishte vend për të gatuar vetë. Në fund, më kërkuan të largohesha. Ishte dita e fundit e merkatos dhe vendosa që të rikthehem në Shqipëri”, është shprehur Danilo Alvesh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!