Kukësi, fitore mes drithërimash…

Ajo që në letër dukej e lehtë, në fushën e blertë të stadiumit “Elbasan Arena”, nuk ndodhi e tillë. Pas dy humbjeve, skuadra veriore e Kukësit, ia arriti të siguronte një fitore të çmuar, por aspak të lehtë me shifrat 3-2.

Edhe pse veriorët ia arritën të shënon të parët me anë të Vasil Shkurtajt (8’), kamzalinjtë barazuan me japonezin Fukui (41’), pas një gabimi të portierit Frashëri, duke i mbyllur 45 minutat e para në barazpeshë.

Por drithërimat nuk kishin të sosur për kuksianët. Ndonëse Valdet Rama (48’) dhe Rroca (60’), të aktivizuar në pjesën e dytë i çojnë shifrat në 3-1, kamzalinjtë nuk dorëzohen. Martinena (76’) ngushton diferencën në 3-2, duke mbajtur në tension pankinën kuksiane, e cila u çlirua vetëm pas fershëllimës përfundimtare të gjyqtarit Kreshnik Barjamaj, që sinjalizoi mbylljen e këtij takimi.

Pas kësaj fitoreje, skuadra e Kukësit me 41 pikët e grumbulluara ngjitet në vendin e dytë në renditje, me 8 pikë me pak se Partizani kryesues. Nga ana tjetër, Kamza mbetet në vendin e fundit, tashmë plot 9 pikë larg Luftëtarit dhe mbijetesa, në mos e pamundur, është një mision tejet i vështirë.

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, pas ndeshje do të deklaronte për Supersport: “E kam thënë, nuk ka ndeshje të lehta. Tani bëhen të gjitha të vështira, me ekipe si Kamza që gjenden në fund dhe nuk kanë asgjë për të humbur. Kishim 4 mungesa, u detyruam të arnoheshim. Lojtarët ishin në pozicione të ndryshme. Nuk mund të pretendohej për futboll të bukur, por për 3 pikë. Dua të falënderoj Ramën pasi i dha një impuls tjetër ekipit me inkursionet e tij nga krahu. Pashë egoizëm te lojtarë të caktuar në disa momente. Kjo gjë nuk na shërben aspak. Do ndalem edhe në analizë me ekipin te këto.”

Ndërsa trajneri i ri i Kamzës, Gentian Stojku, në premierën e tij në Superligë, nuk pranoi në deklarohej pas ndeshjes në konferencën e zakonshme për shtyp.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!