Festa: 100 vjetori i Vllaznisë, klubin e dekoron Presidenti i Republikës.

Shkodra, vendlindja e sportit shqiptar, sot është në festë.
Vllaznia, ky emër, ky klub sportiv, që si askush tjetër ia ka arritur të kthehet në një simbol krenarie dhe identifikimi për qytetin e tij, feston 100-vjetorin e krijimit të saj…
E vështirë, tepër e vështirë që në minutat e emisionit tone “Nga njera ndeshje, në tjetrën” të flasësh për një shekull histori, për bëmat e sportistëve shkodranë që në këtë hark kohor, jo vetëm kanë përfaqësuar denjësisht ngjyrat sportive të qytetit të tyre, por edhe kanë shkruar edhe historinë e sportit shqiptar.
Vllaznia është klubi sportiv më i vjetër në vendin tone, eshtë aristokracia e sportit shqiptar, i cili ka ditur të rrezatojë në të gjithë Shqipërinë…
Ka qenë 16 shkurti i vitit 1919, kur 75 vizionarët, pinjollë të familjeve nobël qytetare shodrane, anëtarë të dy shoqnive atdhetare, “Mustafa Pasha” të besimit islam dhe “Vaso Pasha” të besimit katolik, vendosën të bashkohen dhe të formojnë shoqninë kulturoro-sportive, me emrin simbolik “Vllaznia”. Kryetar i shoqatës “Vllaznia” u zgjodh patrioti dhe atdhetari Hilë Mosi, ndërsa nënkryetar Hysë Draçini. Ata u bashkuan për t’i dhanë jetë “zgjimit të djelmnisë shqyptare në fushën letrare, theatrore, muzikore e gjimnastike”- siç thuhet në komunikatën e themelimit të shoqatës “Vllaznia”.
Kjo shoqni do të arrinte që shumë shpejt të bëhej e njohur, jo vetëm në Shkodër e Shqipëri, por edhe më gjërë. Në vitin 1920, u organizua gara e parë çiklistike në vendin tonë Shkodër – Koplik, 36 km e gjatë, garat e notit në Shirokë në disiplinën e 100 m, si dhe garat e para të atletikës në Shqipëri. Në vitin 1925, shoqnia Vllaznia organizoi edhe rrethin e pare çiklistik për amatorët, garë që konsiderohet edhe si e para në Europë. Po këtë vit, shoqata botoi edhe gazetën e parë sportive në vend “Gazeta e Sportit”, ndërkohë që edhe sporte si basketbolli dhe volejbolli nisin të hedhin hapat e pare në shkolla, ku të rinjtë shkodranë spikatnin me talentin e tyre sportiv.
Shpesh kur themi Vllaznia, nënkuptojmë vetëm futbollin. Por nuk është kështu, edhe pse pas klubeve të kryeqytetit, Vllaznia me 9 titujt e kampionit, është klubi më i titulluar në Shqipëri.
Vlerat e sportistëve shkodranë i gjejmë në të gjitha llojet e sporteve në vendin tone. Shkodranët me talentin e tyre të spikatur kanë shkruar historinë e sportit shqiptar. Shprehja “s’ka kombëtare pa shkodranë”, nuk është rastësi, por një realitet i prekshëm i sportit shqiptar në të shkuarën por edhe në të tashmen e sportit shqiptar…
Redaksia e programacionit “ Sporti im”, përfiton nga rasti, që në këtë përvjetor shekullor, t’i urojë klubit Vllaznia, suksese më të mëdha e të shumta në rrugëtimin e tij ndër vite.

Dekorata:

Presidenti i Republikes Sh.T.Z Ilir Meta, mes ovacionesh të të pranishmëve në sallë, i ka dorzuar klubit të Vllaznisë, dekoratën me mbishkrimin -“Nderi i Kombit”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!